I konsideruar si një nga talentet më premtues të gjeneratës së tij në panoramën ndërkombëtare, prezantimin dhe afirmimin e parë në përmasa madhore në muzikën klasike Kostandin Tashko fillimisht e konsolidon në 2023, duke u shpallur laureat dhe finalist i dy prej konkurseve më prestigjoze në botë si Ljubljana Festival International Piano Competition (i përzgjedhur midis laureatëve e të gjitha konkurseve më të rëndësishme ndërkombëtare), dhe Ferruccio Busoni International Piano Competition, duke e përfaqësuar kështu Shqipërinë për herë të parë në skenën më të lartë të pianizmit ndërkombëtar.
Për më tepër, rezultatet e arritura në kohë të shkurtër gjithashtu e bëjnë që prej moshës 24 vjeçare Kostandinin artistin më të ri Shqiptar të emëruar profesor në konservatoret muzikore Italiane dhe më gjerë.
Së fundmi, Tashko ka spikatur në një prej institucioneve me traditë të gjatë ekselence në Europë, Accademia Chigiana, në klasën e pianistes së madhe Lilya Zilberstein, e cila i akordon çmimin prestigjoz “Premio Monte Dei Paschi di Siena 2024”, i rezervuar për studentin më të mirë në piano.
Vetë Accademia Chigiana, në artikuj të ndryshëm, e konsideron pianistin një yll në ngjitje të pianizmit ndërkombëtar.
Ndërsa në panoramën kombëtare, mund të evidentohet edhe afirmimi në Premio Venezia 2021, në edicionin e 37 (konkursi tradicional i pianistëve të rinj të vitit në Itali) ku vlerësohet me çmimin e 2-të “Premio Alfredo Casella”.
Gjatë viteve të fundit ka performuar në disa nga sallat më prestigjoze ndërkombëtare si: Gran Teatro La Fenice di Venezia, Musikverein Vienna, Gallus Hall & Slovene Philarmonic Hall Ljubljana, Teatro Filarmonico di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro dei Rozzi di Siena, Fazioli Concert Hall, Palazzo Chigi Siena, Sala dei Giganti Padova, Auditoriumet e Bari, Bolzano, Mantova dhe Brescia, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit Tiranë, Lisinski Hall Zagreb, Casa da Musica Porto, Grande Auditorio de Coimbra, Florentinersaal Graz, Amaryllis Fleming Hall London e shumë të tjera.
Ndër festivalet ku Tashko së fundmi është ftuar për të performuar si solist, evidentohen festivale prestigjoze ndërkombëtare si : Festival Ljubljana, Micat in Vertice Siena, Santa Cecilia International Festival Porto, Heidelberg Piano Festival, Mittelfest, Settimane musicali al Teatro Olimpico di Vicenza, Festival di Bellagio e del Lago di Como, Associazione Chamber Music Trieste, Amici della Musica di Padova etj.
Ka bashkëpunuar si solist me orkestrat ndërkombëtare I Virtuosi Italiani, RTV Slovenia Symphonic Orchestra, Portugese Philarmonic Orchestra, Orchestra Sinfonica del Teatro Verdi Trieste, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, Orchestra Sinfonica di FVG, Filarmonia Bacau, dhe shumë orkestra të tjera.
Si autor i dy albumeve solistike, albumi i tij i fundit është transmetuar në RAI Radio 3.
I lindur dhe rritur në Tiranë, fillimisht përfundon studimet në Liceun Artistik në Tiranë, në klasën e prof. Valbona Kasaj, më pas diplomohet në Trieste, në klasën e prof. Teresa Trevisan, për të vazhduar më tej me kurset e Artist Diploma në Londër (RCM) dhe Graz (KUG). Përpos këtyre institucioneve, ka ndjekur gjithashtu masterklaset e akademive ndërkombëtare Chigiana, Liechtenstein, Pinerolo, Eppan dhe Ferrara, me figurat më të spikatura të pedagogjisë pianistike.